Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka njoftuar se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Dialog në Serbi ka anuluar vendimin e Këshillit për subvencionimin e fermerëve nga Luginë e Preshevës, që ishte financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Rexhepi ka theksuar se ky është një tjetër veprim diskriminues ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët vazhdojnë të përballen me vështirësi në çdo fushë. Ai ka bërë thirrje për një ndërhyrje të drejtë dhe të menjëhershme.
“Komunat e Preshevës dhe Bujanocit vazhdojnë të jenë ndër më të varfërat në Serbi, dhe ndërkohë që Qeveria e Serbisë nuk po ndërmerr asnjë hap për përmirësimin e situatës, ajo po bllokon edhe mundësitë që po ofrohen për zhvillimin e Luginës, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës,” ka shkruar Rexhepi.
Ai ka njoftuar gjithashtu se për këtë vendim është dorëzuar ankesë në Gjykatën Administrative, dhe po presin një vendim të drejtë.
“Nëse në Serbi ka edhe pak drejtësi, ky vendim duhet të anulohet dhe fermerët tanë duhet të përfitojnë nga këto subvencione,” ka përfunduar Rexhepi në deklaratën e tij.