Muajin e kaluar, analistët e anketuar nga Consensus Economics parashikonin se blloku do të zhytej në recesion këtë vit. Por, sondazhi i këtij muaji zbuloi se ata tani presin që eurozona të regjistrojë një rritje prej 0.1 për qind gjatë vitit 2023. Kjo falë çmimeve më të ulëta të energjisë, mbështetjeve qeveritare dhe rihapjes më të shpejtë nga sa ishte parashikuar të ekonomisë kineze, e cila do të ndikojë në shtimin e kërkesës globale.
Ky përmirësim vjen pasi zyrtarët dhe drejtuesit e bizneseve në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti në Davos pranuan gjithashtu mundësinë për një perspektivë më optimiste dhe FMN-ja sinjalizoi se së shpejti do të përmirësojë parashikimet e saj për rritjen globale.
Ekonomistët druheshin se Europa do të ishte ndër zonat më të goditura të ekonomisë globale këtë vit, për shkak të ekspozimit të saj ndaj pasojave ekonomike të luftës së Rusisë me Ukrainën. Vetëm pak javë më parë, drejtuesja e FMN-së, Kristalina Georgieva, tha se “gjysma e Bashkimit Europian do të jetë në recesion” përgjatë vitit 2023.
Carsten Brzeski, kreu i studimeve makroekonomike në ING Bank, e përshkroi ndryshimin në parashikimet e ekonomistëve si “një recesion që nuk erdhi kurrë”.
Susannah Streeter, analiste në Hargreaves Lansdown, tha: “Kërcënimi i krizës së frikshme energjetike po zbehet dhe inflacioni po bie me ritme më të shpejta nga sa pritej.”
“Perceptimet tona kanë ndryshuar rrënjësisht që nga tetori,” tha Andrew Kenningham, kryeekonomist për Europën në Capital Economics, duke shtuar se mbështetjet qeveritare kanë qenë më bujare nga sa pritej. Nga ana tjetër, sektori i automobilave është rimëkëmbur më fuqishëm sesa ishte parashikuar.
Tani ekziston një rrezik më i vogël se 30 për qind për një recesion, nga 90 për qind që ishte vlerësuar verën e kaluar, sipas Anna Titareva, ekonomiste në UBS. Ajo tha se lehtësimi i ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimeve, tregu i fortë i punës dhe teprica e kursimeve janë arsyet që shpjegojnë qëndrueshmërinë ekonomike të eurozonës. Gjithashtu, Europa ka qenë e suksesshme në përpjekjet e saj për të mbushur depozitat e gazit në muajt e fundit, gjë që ka reduktuar shumë frikën nga racionimi i gazit.
Rënia e fundit e çmimeve të gazit me shumicë, duke i çuar ato përsëri në nivelet ku ndodhshin përpara pushtimit rus të Ukrainës, ka ndihmuar gjithashtu në përmirësimin e perspektivës ekonomike. JPMorgan rriti projeksionet e PBB-së së eurozonës për vitin 2023 në 0.5 për qind, pasi parashikoi që çmimet e gazit natyror do të ishin rreth 76 euro për megavat orë, në vend të pritshmërive të mëparshme prej 155 euro për megavat orë./ Financial Times