Një “numër i konsiderueshëm” vendesh janë të gatshme të ofrojnë forca paqeruajtëse për Ukrainën, në rast se arrihet një marrëveshje paqeje me Rusinë, ka deklaruar një zëdhënës i kryeministrit britanik, Keir Starmer.
Britania dhe Franca po udhëheqin një iniciativë për hartimin e një plani paqeruajtës, pas nisjes së bisedimeve nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, me Rusinë për një traktat paqeje.
Më shumë se 30 vende pritet t’i bashkohen “Koalicionit të Gatshëm”, ka njoftuar zëdhënësi gjatë një konference për media. Ai ka theksuar se kontributi i këtyre vendeve do të jetë i ndryshëm, por gjithsesi do të formojnë një forcë domethënëse, me ushtarë të ofruar nga një numër i konsiderueshëm shtetesh.
Megjithatë, Rusia ka refuzuar vazhdimisht idenë e vendosjes së ushtarëve nga anëtarët e NATO-s në Ukrainë.