Meta, kompania mëmë e Facebookut planifikon të fillojë shkurtime në shkallë të gjerë të vendeve të punës.
Mediet raportojnë se ky vendim pritet të shpallet këtë të mërkurë, e që do të prek mijëra vende pune.
Gjatë rezultateve zhgënjyese financiare për tremujorin e tretë, shefi ekzekutiv Mark Zuckerberg pati njoftuar se do të ketë largime të punëtorëve.
“Në vitin 2023, investimet tona t’i fokusojmë në një numër të vogël fushash që kanë prioritet të lartë në rritjen e kompanisë”, pati thënë Zuckerberg.
Meta ka rreth 87 mijë punëtorë në mbarë botën në të gjithë platformat e saj, duke përfshirë Facebookun, Instagramin dhe WhatsAppin.
Planet për shkurtimin e vendeve të punës ndjekin vështirësitë në të gjithë sektorin e teknologjisë, pasi kjo industri po përballet me ngadalësimin e rritjes ekonomike botërore.
“Në total, ne presim që ta përfundojmë vitin 2023 me përafërsisht apo me të njëjtën madhësi ose edhe një kompani pak më të vogël se sa jemi sot”, ka shtuar ai.
Platformat e mbështetura nga reklamat, si Facebook dhe Google e Alphabet po vuajnë nga shkurtimet në buxhet që po bëjnë reklamuesit, teksa luftojnë me inflacionin dhe rritjen e normave të interesit.
Po ashtu, kompanitë Stripe dhe Lyft njoftuan për largime masive nga puna në shkallë të gjerë, ndërsa Amazon tha se do të rris punësimin nëpër zyrat e saj të korporatave.
Twitter, që kur u ble nga Elon Musku, largoi nga puna rreth gjysmën e 7,500 punëtorëve që ka aktualisht.
Zuckerberg ka thënë se pret që investimet në Metaverse të zgjasin rreth një dekadë për të dhënë rezultate pozitive. Ndërkohë, ai thotë se duhet të riorganizojë ekipet brenda kompanisë për të ulur kostot.
Vlera e tregut e kompanisë gjatë vitit të kaluar është ulur në 600 miliardë dollarë. /Telegrafi/