Edhe pse 15 prilli është një datë tashmë e caktuar nga ana e Presidentes Vjosa Osmani, kur pritet që Kuvendi të zgjedhë kryeparlamentarin, ende nuk ka asnjë marrëveshje të sigurt për këtë proces.
Formimi i Qeverisë, gjithashtu, mbetet një çështje e pasigurt, pasi nuk ka ende një marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera, përfshirë NISMA-n.
Deri tani, ka pasur vetëm indikacione për mundësi bashkëpunimi, por asgjë zyrtare që do të mund të konfirmonte një marrëveshje të mundshme.
Në këtë kontekst, situata politike në vend mbetet e paqartë, duke lënë hapësirë për spekulime mbi të ardhmen e institucioneve të Kosovës dhe për zhvillimet që mund të ndodhin pas 15 prillit, që do të sjellin një zhvillim më të rëndësishëm për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e institucioneve të tjera të shtetit.
Rexhepi: Gjithçka përfundon me 15 prill, nëse s’ka Qeveri, shkojmë në zgjedhje
Deputetja boshnjake dhe kryetarja e NDS-së, Emilja Rexhepi, ka shprehur optimizëm për formimin e institucioneve të reja
“Mendoj se gjithçka do të jetë mirë sa i përket formimit të institucioneve’’ thotë ajo.
Ajo u shpreh se për partinë e saj, situata është e qartë dhe se ata janë të gatshëm të mbështesin qeverinë e kryeministrit Albin Kurti.
‘’Ne mbështesim qeverinë e re të Albin Kurtit’’ shtoi ajo.
Rexhepi sugjeron se mazhoranca e tanishme, përkatësisht ajo që udhëhiqet nga Albin Kurti, nuk do zgjedhje.
“Mazhoranca nuk do zgjedhje,” u shpreh Rexhepi për FrontOnline, transmeton Periskopi.
Megjithatë, Rexhepi theksoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme për të gjitha palët, NDS është e gatshme të shkojë në zgjedhje.
“Nëse jo, jemi gati të shkojmë në zgjedhje,” u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se partia e saj do të kërkojë një zgjidhje tjetër, nëse negociatat nuk e qojnë vendin drejt stabilitetit të duhur politik.
Deputeti i VV-së: Çdo gjë është e mundshme me 15 prill, afati po ngushtohet
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka deklaruar se do të jetë prezent në Kuvend dhe do të përmbushë obligimet e tij ligjore si deputet.
‘’Unë do të jem prezent në Kuvend dhe do e kryej obligimin tim’’ tha ai.
Ai theksoi se mundësitë për zhvillime të reja janë të hapura, duke shtuar se pas votimit të kryeparlamentarit dhe të kryesisë, çdo gjë mund të ndodhë.
‘’Mundësitë mund të jeni. Çdo gjë është e mundshme. Pas votimit të kryeparlamentarit, dhe kryesisë çdo gjë është e mundshme me ndodhë’’ u shpreh ai.
Zyba theksoi se afatet për veprim janë ngushtuar dhe situata mund të marrë kthesa të ndryshme.
‘’Po ngushtohet çdo afat i mundshëm’’ deklaroi ai.
Muhaxhiri: E pritshme që 15 prill të zgjedhet kryeparlamentari, por formimi i Qeverisë mbetet në pikëpyetje
Analisti politik Artan Muhaxhiri ka vlerësuar se është e mundshme që më 15 prill të zgjidhet kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se ky proces është një hap i rëndësishëm për formimin e institucioneve të reja.
‘’Është e pritshme që me 15 prill të zgjedhet së paku kryeparlamentari’’ tha ai.
Ai shtoi se, sa i përket formimit të Qeverisë, kjo mund të ndodhë vetëm nëse Lëvizja Vetëvendosje (VV) arrin një marrëveshje me NISMA-n, një mundësi që mbetet ende në diskutim.
“Mundësia për formimin e Qeverisë mund të ndodhë nëse VV ka një marrëveshje me NISMA-n, dhe kjo i mbetet si mundësi. Por aktualisht nuk ka marrëveshje, ka vetëm indikacione,” tha Muhaxhiri.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti është duke lënë këtë çështje në pikëpyetje, duke mos marrë ende një vendim për të finalizuar marrëveshjen.
‘’Ka vetëm indikacione dhe kryeministri Kurti do e lë në pikëpyetje këtë gjë’’ tha ai.
Në një tjetër vlerësim, Muhaxhiri theksoi se ka një kufi të qartë kohor për formimin e institucioneve.
“Më shumë se dy muaj nga certifikimi i rezultateve nuk mund të shkohet pa formimin e institucioneve. Nëse më 15 prill nuk zgjedhet Qeveria, i mbeten edhe 15 ditë kohë,” u shpreh analisti, duke iu referuar afateve ligjore për formimin e Qeverisë pas certifikimit të zgjedhjeve./Periskopi/