Fatos Lubonja thotë se Amerika ka rëndësi për shqiptarët, por ne duhet të rritemi të krijojmë autonomi ndaj fuqive të mëdha.
“Amerika ka rëndësi për shqiptarët. Unë kam qenë gjithmonë i asaj tezës që shqiptarët duhet të rriten dhe të krijojnë një lloj autonomie nga këto fuqitë e mëdha, në kuptimin e mendësisë. Por, ne e dimë që këtu Amerika është përdorur. E ka përdorur Rama kur i përmendte Berishës “a e kalon dot Atlantikun”. E përdorte si “partnerët tanë” kur këta e akuzonin për kanabisin. Lu-ja ka dalë atje në atë kohë.
Amerikanët kanë një lloj rëndësie. Në rastin e PD amerikanët marrin një lloj rëndësie, por deri në nivelin e LaCivita nuk mund të them që amerikanët kanë bërë deklarata publike, politike në favor të Berishës dhe kundër Ramës. Deri tani. Unë nuk e di se çfarë do të thotë LaCivita.
Amerikanët e kanë bërë influencën këtu me ambasadat përgjithësisht. Sorosi nuk është Departamenti i Shteti. Ai është në punën e vet dhe mund të mbështesë një të majtë apo kë të dojë. Sorosi i ka dhënë mbështetje Ramës te administrata amerikane, te Klinton, te Blinken.
Opozitës i duhet një mbështetje nga administrata amerikane. A arrin LaCivita që ta kthejë rrotën që të flasë Ambasada amerikane kundër Ramës? Të flasë Rubio dhe të mbështesë Berishën? Këtë do ta shohim.
Këtë nuk e shoh deri tani. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë nesër. Sa do të ndikojë në zgjedhjet? Kjo mbetet për t’u parë. Ishte gjithë ajo mbështetje me Yuri Kim, me 30 mijë vota ndryshoi rezultati i zgjedhjeve në 2021-in. Votat përcaktohen nga shqiptarët. Rama i kontrollon njerëzit, nuk bën dot gjë Amerika.
Kjo formula që ka gjetur Rama me Trump dhe Kushner është ambiguitet. Është interesante t’i thellohesh sepse ai luan me dy porta. Ai thotë që Trum ishte bekim për Amerikën, por edhe për Europën. Ka një tezë në Europë që ky është rasti që Europa të krijojë pavarësi nga SHBA-ja” – tha Lubonja në emisionin Open në News 24.