FIFA ka urdhëruar mbylljen e 20% të kapacitetit të stadiumit “Arena Kombëtare” për ndeshjen e ardhshme të Shqipërisë ndaj Serbisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës. Vendimi vjen si pasojë e thirrjeve diskriminuese të dëgjuara nga tifozët shqiptarë gjatë takimit Shqipëri-Andorrë, më 2 prill.
Sipas dokumentacionit të siguruar nga burime pranë FIFA-s, incidenti është regjistruar në sektorin N103 të stadiumit, ku ishin të pozicionuar grupimet “Tifozat Kuq e Zi” dhe “Iliryan Elite”. Delegati i ndeshjes ka raportuar për këngë me përmbajtje ksenofobike dhe thirrje të dhunshme si: “Vriti, vriti serbët” dhe “Vrite, shkatërroje, Serbinë masakroje”, të cilat janë kënduar në minutën e tretë të ndeshjes dhe janë regjistruar në video.
Raporti thekson se këto thirrje kanë zgjatur rreth 15-20 sekonda dhe përbëjnë shkelje të qartë të Kodit Disiplinor të FIFA-s për nxitje të urrejtjes etnike dhe diskriminim. Komisioni i Disiplinës në FIFA ka theksuar se nuk pati reagim nga zyrtarët apo lojtarët në fushë gjatë incidentit.
Vendimi është komunikuar zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit më datë 2 prill, dhe është shoqëruar me masa ndëshkuese, duke përfshirë mbylljen e pjesës së stadiumit për ndeshjen e radhës si dhe paralajmërim për përsëritje të mundshme.
Vendimi ka ngjallur reagime të forta nga grupimet e tifozëve dhe opinioni sportiv në vend.