Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizituan sot Termocentralin Kosova B për të shënuar fillimin e punimeve në modernizimin e njësisë B2. Investimi prej 56.5 milionë eurosh, i financuar nga vetë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), synon të rrisë kapacitetin prodhues dhe të përmirësojë sigurinë dhe efikasitetin e operimit.
Gjatë vizitës, kryeministri Kurti u shpreh se ky projekt do të rrisë prodhimin e energjisë elektrike me mbi 600 GWh në vit, duke përmirësuar njëkohësisht edhe standardet mjedisore përmes uljes së ndotjes. Ai përgëzoi menaxhmentin dhe punëtorët e KEK-ut për këtë hap të rëndësishëm në fuqizimin e sektorit energjetik.
Ministrja Rizvanolli theksoi se rehabilitimi i plotë i Termocentralit Kosova B do të zgjatë jetëgjatësinë e tij edhe për 20 vjet, do të ulë ndotjen nga pluhuri dhe oksidet e azotit për 60% dhe do të zvogëlojë nevojën për remont kapitale nga çdo pesë në çdo dhjetë vjet. Sipas saj, kjo nënkupton përmirësim të sigurisë së furnizimit me energji, ulje të importit për së paku 23 milionë euro dhe rritje të eksportit për së paku 20 milionë euro në vit.
Ky modernizim bazohet në studimin e fizibilitetit të bërë për Termocentralin Kosova B dhe pritet të ketë ndikim të madh pozitiv në sektorin energjetik dhe mjedisin.