Fiorentina dhe Real Betis janë dy gjysmëfinalistët e parë të Ligës së Konferencës së UEFA-s, duke siguruar një përballje direkte për një vend në finalen e kompeticionit më të ri evropian për klube.
Fiorentina ruan avantazhin dhe kalon tutje
Skuadra italiane e Fiorentinës barazoi 2-2 në ndeshjen e kthimit kundër Celjes në Firence, duke ruajtur avantazhin e fituar në ndeshjen e parë (2-1). Rolando Mandragora kaloi vendasit në epërsi në minutën e 37-të, por Celje përmbysi rezultatin përmes Alosha Matkos (54’) dhe Klemen Nemaniçit (65’). Barazimi përfundimtar u vendos nga Moise Kean në minutën e 70-të.
Betis kalon me qetësi
Ndërkohë, Betisi spanjoll menaxhoi mirë epërsinë 2-0 të ndeshjes së parë, duke siguruar barazim 1-1 në transfertë ndaj Jagiellonias. Cedric Bakambu shënoi për andaluzianët në minutën e 78-të, ndërsa Darko Çurlinov barazoi pas vetëm tre minutash, por pa ndryshuar fatin e kualifikimit.
Priten dy çiftet e tjera gjysmëfinale
Ndeshjet e fundit çerekfinale do të zhvillohen sonte në orën 21:00. Chelsea pret Legian, pas fitores bindëse 3-0 në ndeshjen e parë, ndërsa Rapid Vienna do të përballet me Gjurgården, pas një fitoreje minimale 1-0.
Fituesit e këtyre dueleve do të formojnë çiftin e dytë gjysmëfinalist. Ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Konferencës do të zhvillohen më 1 dhe 8 maj.