Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një gabim të rëndë pasi anëtarët e kabinetit të tij përfshinë gabimisht një gazetar në bisedat për një sulm ajror kundër Houthi-t në Jemen. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, e ftoi gabimisht gazetarin Jeffrey Goldberg të Atlantic në një grup në aplikacionin Signal, ku u ndanë informacione të ndjeshme lidhur me objektivat e sulmit, armët dhe afatet kohore.
Përmes këtij grupi, Goldberg mori informacione të sakta rreth sulmit, duke përfshirë detaje për armët dhe objektivat. Ai u befasua kur, dy orë përpara shpërthimeve në Jemen më 15 mars, mori informacion për sulmet që do të zhvilloheshin. Ai e kuptoi gabimin dhe u largua nga grupi, ndërkohë që e la një njoftim për administratorin e grupit, Mike Waltz. Sipas Goldberg, ndarja e këtyre informacionit mund të kishte rrezikuar jetën e anëtarëve të shërbimit amerikan.
Këto zhvillime kanë shkaktuar kritika të ashpra nga disa anëtarë të partisë demokratike dhe shqetësime nga disa republikanë. Udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer, e cilësoi këtë incident si një nga rrjedhjet më skandaloze të inteligjencës ushtarake në një kohë shumë të gjatë.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar një hetim të brendshëm për këtë incident dhe ka theksuar se Presidenti Trump ruan besim të plotë në ekipin e tij të sigurisë kombëtare.