Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner ka thënë se vendi nuk varet më nga importet ruse për furnizimet me energji.
Linder ka thënë se Gjermania e ka diversifikuar plotësisht infrastrukturën e energjisë, prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë vitin e kaluar.
Pas nisjes së luftës, Rusia e ka ndalur furnizimin me gaz në Evropë, duke rritur shqetësimet e evropianëve për ndërprerje të rrymës këtë dimër.
Në të kaluarën, vendi ka importuar nga Rusia gjysmën e gazit që i është nevojitur, si dhe më shumë se një të tretën e naftës. Rusia i ka ndalur furnizimet me gaz në gusht të vitit të kaluar, derisa Gjermania ka hequr dorë nga importet e naftës ruse në fillim të këtij viti.
Në garë për të gjetur burime të energjisë, Gjermania ka rihapur termocentralet me thëngjill, nuk i ka mbyllur centralet bërthamore dhe ka shtyrë përpara idetë për magazinim të gazit natyror që importohet nga Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara.