Procesi i zgjerimit të BE-së dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë shqetësim i rëndësishëm për këto vende, por edhe Qeverinë Federale të Gjermanisë.
Kështu deklaroi të martën në Berlin, Jens Plötner, këshilltar për politikat evropiane në qeverinë gjermane, duke rikujtuar se:-“kjo është përmendur edhe në marrëveshjen e koalicionit, dhe vetë kancelari federal i kushton një vëmendje të madhe kësaj teme”.
Duke folur të martën në konferencë për media në lidhje me samitin e Procesit të Berlinit, dhe rëndësinë që kancelari Olaf Scholz i kushton këtij rajoni, Plötner rikujtoi se në vitin e tij të parë si kancelar, Scholz zgjodhi të takojë të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor.
“Ky takim ishte në qershor, e gjithashtu ju rikujtoj edhe një udhëtim dyditor në vendet e rajonit. Pra tani ndodhë samiti i Procesit të Berlinit, në të cilin do të bëjmë përparim thelbësor në disa fusha”, deklaroi Jens Plötner, këshilltar për politikat evropiane në Qeverinë e Gjermanisë.
Ai deklaroi se në samitin e së enjtes në kuadër të Procesit të Berlinit, do të jenë të pranishëm krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe presidenten e Komisionit Evropian.
Sa i përket punimeve të samitit, Plötner tha se Brenda tij, një pjesë do t’i kushtohet bashkëpunimit rajonal dhe pjesa tjetër tregut të përbashkët.
Sa i përket tregut, ai tha se kjo është një nga shtyllat e samitit në kuadër të Procesit të Berlinit, që adreson çështjen e sigurisë së furnizimit me energji dhe transformimin e sektorit të energjisë.
Ai tha se gjithçka do të përfundojë deri në drekë, ku pastaj për krerët e qeverive dhe shteteve, zgjedhja e temës është pak më e hapur, raporton RTK.
“Në konferencën për shtyp të mbajtur nga Kancelari Federal e Presidenti i Komisionit Evropian, do të jetë edhe nikoqiri i ardhshëm i cili do të bëhet i ditur aty”, tha Plötner.
Ai deklaroi se është shqetësim i kancelarit gjerman, zgjerimi i BE-së, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor dhe kërkon që kjo të arrihet me sukses.
“Që kjo të ketë sukses, ne besojmë se konfliktet duhet të zgjidhen. Mund të gjenden modele bashkëpunimi për të ardhmen”.