Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshëm paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, të cilët lidhen me emërimin dhe mandatin e pozitave drejtuese në Doganën e Kosovës. Vendimi u mor njëzëri nga trupi gjykues, pas shqyrtimit të kërkesës së Avokatit të Popullit që sfidonte përputhshmërinë e këtij neni me Kushtetutën.
Në aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se këto dispozita bien ndesh me nenin 3 të Kushtetutës që garanton barazinë para ligjit, si dhe me nenin 7 që përcakton vlerat kushtetuese. Për më tepër, paragrafi 6 i nenit 331 u vlerësua se është gjithashtu në kundërshtim me nenin 46 të Kushtetutës që garanton mbrojtjen e pronës.
Sipas Gjykatës, ndryshimet ligjore që i shndërrojnë marrëdhëniet e punës së drejtuesve të Doganës nga kontrata me afat të pacaktuar në kontrata me afat të caktuar, cenojnë sigurinë juridike, pritshmëritë legjitime dhe të drejtat e fituara të punonjësve. Këto ndryshime, sipas vendimit, nuk qëndrojnë në përputhje me frymën kushtetuese.
Gjykata pranoi kërkesën si të pranueshme, por e refuzoi kërkesën për vendosjen e një mase të përkohshme.
Pavarësisht se paragrafi 2 dhe 7 i të njëjtit nen u gjetën në përputhje me Kushtetutën, Gjykata vlerësoi se pjesa më e kontestuar e nenit 331 dëmton të drejtat e punonjësve në pozitat drejtuese, duke cënuar barazinë dhe sigurinë e marrëdhënies së tyre të punës.
Ky vendim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si do të trajtohen pozitave drejtuese brenda Doganës së Kosovës dhe mund të çojë në rishikim të ligjit nga Kuvendi apo Ministria e Financave.