Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit të kërkesës së Gjykatë Supreme, ka marrë vendim me të cilin ua njeh kontributin punëtorëve të larguar nga puna në vitet 1990.
Kështu kanë bërë të ditur përmes një njoftimi për media nga zyra për komunikim me publikun të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Sipas tyre, Kushtetuesja vendosi njëzëri që kërkesa është e pranueshme për skemat pensionale të financuara nga shteti.
“Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) paragrafi 2 i nenit 8 të Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në lidhje me nën-paragrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015 për “Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional”, nuk janë në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 1 (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut” thuhet në njoftim.
Lexoni më poshtë njoftimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën KO 190/19, të parashtruar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së nenit 8, paragrafit 2, të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) nr. 09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontribut pagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve.
Bazuar në kërkesën e parashtruar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës sipas paragrafit 8 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e paragrafit 2 të nenit 8 (Kushtet dhe kriteret për njohjen e të drejtës në pension kontributpagues të moshës) të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 (Kualifikimi i shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues) dhe nenin 6 (Dokumentet e nevojshme për njohjen e të drejtës në pension kontributpagues) të Udhëzimit Administrativ (MPMS) nr. 09/2015 për “Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional” Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) paragrafi 2 i nenit 8 të Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në lidhje me nën-paragrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015 për “Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional”, nuk janë në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 1 (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.