Google ka pësuar humbjen e tretë gjyqësore në një vit e gjysmë, pasi një gjykatës federal në Virxhinia vendosi se kompania ka krijuar një pozicion monopol edhe në tregun e reklamave në internet. Kjo vjen pas dy vendimeve të mëparshme të gjykatave federale amerikane, të cilat konstatuan se Google ka monopol në tregun e kërkimit dhe në dyqanin e aplikacioneve.
Vendimi i fundit, i marrë nga gjykatësja Leonie Brinkema, përfaqëson një tjetër fitore të rëndësishme për qeverinë federale amerikane në përpjekjet e saj për të kufizuar dominimin e gjigantit teknologjik. Sipas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë CNN, ky vendim mund ta detyrojë Google të shesë një pjesë të biznesit të saj në fushën e reklamave digjitale – konkretisht pjesën që vlen rreth 31 miliardë dollarë dhe që lidh botuesit e faqeve të internetit me reklamuesit.
Gjykata u pajtua me argumentin e Departamentit të Drejtësisë se Google, duke lidhur serverin e saj të reklamave me shkëmbimin e reklamave për botuesit, ka krijuar dhe ruajtur një pozicion monopol që dëmton konkurrencën dhe konsumatorët.
Nga ana tjetër, Google reagoi duke thënë se do të apelojë pjesën e vendimit me të cilën nuk pajtohet. “Ne fituam gjysmën e këtij rasti dhe do të apelojmë gjysmën tjetër,” deklaroi nënkryetarja për çështjet rregullatore, Lee-Anne Mulholland. Ajo shtoi se mjetet e Google për botuesit nuk dëmtojnë konkurrencën dhe se botuesit zgjedhin Google për shkak të thjeshtësisë, kostos së ulët dhe efikasitetit të mjeteve të saj.
Kjo çështje është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të autoriteteve amerikane për të kufizuar fuqinë e gjigantëve të teknologjisë si Google, Apple, Meta dhe Amazon. Vetëm këtë javë, CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg, u paraqit në gjykatë për një padi antitrust të ngritur nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), i cili e akuzon kompaninë për blerjen e konkurrentëve të mundshëm për të shtypur konkurrencën.
Burimi: CNN, mediat amerikane.