Kompania mëmë e Google, Alphabet, ka hequr dorë nga një premtim i mëparshëm për të mos përdorur inteligjencën artificiale (AI) në zhvillimin e armëve apo mjeteve të mbikëqyrjes.
Në një njoftim të bërë të martën, Alphabet konfirmoi përditësimin e udhëzimeve të saj etike mbi përdorimin e AI, duke hequr ndalimin e mëparshëm të përdorimit të kësaj teknologjie në aplikacione që mund të shkaktojnë dëm të përgjithshëm. Kreu i inteligjencës artificiale të Google, Demis Hassabis, deklaroi se rishikimi i udhëzimeve erdhi si pasojë e një “bote në ndryshim” dhe se AI duhet të kontribuojë në sigurinë kombëtare, raporton Guardian.
Vendimi u mbrojt gjithashtu nga zëvendëspresidenti i lartë i Google, James Manyika, dhe Hassabis, të cilët theksuan në një shënim të gjatë se zhvillimi i AI duhet të drejtohet nga parime demokratike, liria, barazia dhe respektimi i të drejtave të njeriut. “Ne besojmë se kompanitë, qeveritë dhe organizatat që ndajnë këto vlera duhet të bashkëpunojnë për të krijuar AI që mbron njerëzit, nxit zhvillimin global dhe forcon sigurinë kombëtare,” shkruan ata.
Sipas tyre, miliarda njerëz tashmë e përdorin AI në përditshmëri dhe se kjo teknologji është bërë një mjet me qëllime të përgjithshme dhe aplikime të shumta të dobishme për shoqërinë.
Megjithatë, ky ndryshim ka ngjallur shqetësime mes ekspertëve dhe aktivistëve të teknologjisë, të cilët paralajmërojnë për ndikimin e interesave komerciale në drejtimin e përdorimit të AI. Polemika të shumta rreth përdorimit të saj në fushat e betejës janë ngritur, kryesisht për shkak të aftësisë së AI për të kryer veprime vdekjeprurëse në mënyrë të pavarur.
Ky zhvillim shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Google mbi inteligjencën artificiale, duke hapur debat mbi kufijtë etikë të përdorimit të kësaj teknologjie në kontekstin ushtarak dhe të mbikëqyrjes.