Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka komentuar vizitën që ish-presidenti Hashim Thaçi realizoi sot në Kosovë, duke qëndruar në fshatin e tij në Burojë për të nderuar babain e tij në varr dhe për të kaluar kohë me familjen e ngushtë. Gucati, i ftuar në emisionin FRONTAL në T7, ka shprehur solidaritetin dhe dhimbjen e tij për Thaçin, duke theksuar se vetë ai kishte përjetuar një situatë të ngjashme me vdekjen e babait të tij.
Ai e përshkroi ngjarjen si shumë emocionale, duke thënë: “Këtë ngjarje e kam përjetuar vetë. E kam përjetuar rëndë, ma ka përkujtuar dhimbjen time. Unë kam qenë shumë i mërzitur, meqë z. Thaçi s’mund t’ia gjuaj një grusht dhe.”
Gucati gjithashtu ka kritikuar shtetin, duke thënë se nuk ka interes për qytetarët dhe ata që ndodhen në Hagë. “Ky është shteti jonë që s’interesohet për neve dhe për ata që janë atje në burg,” ka shtuar ai. Ai ka theksuar se dhimbja është shumë e madhe dhe se, megjithëse shokët mund të të ngushëllojnë, kur e kalon kohën vetëm, përballë mërzisë dhe dhimbjes, është shumë e vështirë.
“Është dhimbje shumë e madhe. E kam përjetuar unë, Kadriu para meje. Është dhimbje shumë e madhe, shokët ta heqin mërzinë, por kur në orën 9 mbyllet dera e dhomës, je vetëm me Zotin dhe është shumë e vështirë, por këto janë sprova,” ka përfunduar Gucati.