Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka theksuar se alokimi i 25 milionë eurove në vit për bursa për studentët është më shumë se një formë financimi. Ai e ka cilësuar këtë nismë si një mundësi dhe shpresë për të rinjtë e Kosovës, duke shtuar se është një investim në talentet e rinj për t’i ndihmuar ata të arrijnë potencialin e plotë dhe të ndërtojnë karrierat e tyre në vendin e tyre.
Hamza ka deklaruar se ky fond bursash do të krijojë mundësi të reja dhe një të ardhme të sigurt për rininë kosovare, duke shtuar se Kosova mund të bëjë më shumë për studentët dhe të rinjtë. Ai ka përmendur se ky program do të mbështesë zhvillimin e brezit të ri dhe kontribuon në forcimin e sistemit arsimor në vend.