Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka vizituar në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët ndodhen në paraburgim nga Gjykata Speciale.
Hamza tha se i ka gjetur ish-krerët e UÇK-së në gjendje të mirë shpirtërore dhe me besim të palëkundur në drejtësi.
“I gjeta të fortë dhe i lashë me plot shpresë se e vërteta e luftës sonë çlirimtare së shpejti do të triumfojë,” shkroi Hamza pas vizitës. Ai shtoi se qëndrueshmëria dhe besimi i tyre janë një frymëzim për qytetarët e Kosovës.
Sipas Hamzës, populli i Kosovës po pret me padurim rikthimin e Thaçit dhe Veselit, duke theksuar se “Kosova po i numëron javët dhe ditët e kthimit të tyre”.
Ai shprehu bindjen se e vërteta historike e popullit të Kosovës do të rikonfirmohet edhe në sallat e drejtësisë ndërkombëtare.