Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas pezullimit të seancës së Kuvendit, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti për bllokim të institucioneve dhe për tendenca autokratike në qeverisje.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se “politikave bllokuese, shantazhuese dhe uzurpuese janë kryefjala e Albin Kurtit”. Ai theksoi se vendimi për të pezulluar seancën, pavarësisht se kishte kuorumin për vazhdim, është një dëshmi e qartë se “këta njerëz e mbajnë peng Kosovën tash e më shumë se katër vjet”.
Sipas tij, karakteri parlamentar, demokratik dhe properëndimor i Kosovës nuk duhet të ndikohet nga “teket autokratike dhe dëshirat diktatoriale të lindjes”.
Haradinaj i ka bërë thirrje Kurtit të tërhiqet nëse nuk është në gjendje të formojë institucionet:
“Është fare e thjeshtë: Dorëhiqu – nuk mundesh t’i kesh dy pozita. Propozojeni dhe formojeni kryesinë e Kuvendit. Formo Qeverinë. Nëse nuk mundesh – ik, lësho rrugë.”
Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse situata vazhdon, pushteti do t’i kthehet sovranit, duke shtuar se “aty mashat do të digjen”.