Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mirëpritur lajmin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Sudanit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka theksuar se ky hap është tejet i rëndësishëm për avancimin e sovranitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai ka vlerësuar rolin e Presidencës në këtë proces, duke theksuar se ishte në krye të detyrës për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të vendit.
“E mirëseardhur njohja nga shteti i Sudanit! Për Kosovën, avancimi në njohjen e sovranitetit të saj është krucial. Në këtë rast, Presidenca ishte në krye të detyrës për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Ky hap duhet të vazhdojë me ritëm të shpejtë. Urime Kosovë!”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka bërë thirrje që përpjekjet për njohje të reja të vazhdojnë me intensitet, duke e cilësuar këtë zhvillim si një arritje të rëndësishme për shtetin e Kosovës.