Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur në një takim lamtumirës ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier. Në këtë takim, Haradinaj ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e tij për kontributin e madh të ambasadorit amerikan gjatë periudhës së tij në Kosovë.
Haradinaj theksoi se Hovenier ishte i pari që vizitoi “shtëpinë e re të Aleancës”, duke e cilësuar atë si mik të madh dhe aleat të Kosovës. Ai shtoi se Hovenier kishte luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm si ambasador, por edhe si një partner dhe kontribues i jashtëzakonshëm në afrimin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“I pari që ka ardhur në shtëpinë e re të Aleancës, ka qenë miku i madh dhe aleati i Kosovës, Ambasadori Amerikan, Jeffrey M. Hovenier. Po në këtë shtëpi, sot e pritëm në takimin lamtumirës të tij si ambasador e si mik. Jeffrey Hovenier ka qenë shumë më shumë se sa Ambasador. Ai ishte mik, partner dhe kontribuues i jashtëzakonshëm i afrimit të Kosovës me Amerikën dhe Amerikës me Kosovën. E jashtëzakonshme ka qenë ndihma e tij edhe në kapërcimin e sfidave me të cilat jemi përballur gjithë këto vite, si dhe në forcimin e demokracisë në vend,” ka shkruar Haradinaj në një postim të tij.
Kjo vizitë shënon fundin e mandatit të Hovenier në Kosovë, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës.