Vushtrria, një qytet me potencial të madh të pashfrytëzuar, vazhdon të jetë dëshmitare e mungesës së një vizioni të qartë nga qeveria aktuale, e cila shpesh duket se nuk sheh përtej mureve të saj. Në këtë kontekst, një qasje e re e mbështetur në zhvillim ekonomik, siguri kombëtare dhe përfaqësim të fortë është thelbësore.
Në qendër të këtij vizioni është anëtarësimi i Kosovës në NATO përmes Planit Aksional, një hap strategjik që synon forcimin e marrëdhënieve të pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Kjo është rruga e vetme për të siguruar një të ardhme të sigurt dhe të prosperuar për vendin tonë,” theksohet në planin e ri.
Ndërkohë që qeveritë e deritanishme fokusohen në tenderë dhe subvencione pa vizion, ky projekt premton uljen e taksave, krijimin e vendeve të reja të punës dhe mbështetjen e bizneseve përmes kredive të buta. Prioritetet përfshijnë gjithashtu rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në një sistem arsimor cilësor dhe në shërbime shëndetësore moderne.
Një vend i veçantë në këtë program zë përkrahja e bujqësisë në Vushtrri, ku tokat pjellore kanë nevojë për ujë dhe fermerët presin mbështetje konkrete. Ky angazhim synon të kthejë Vushtrrinë në një qendër të rëndësishme prodhimi bujqësor.
Në listën e kandidatëve për deputet në Kuvendin e Kosovës përfshihet edhe Mensut Ademi, Doktor i Shkencave Penale dhe Kriminologjisë, një figurë me përvojë si ligjërues në universitete publike e private në Kosovë dhe një veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pjesëmarrës në shumë beteja, ai mban deri më sot plagët e luftës. Kandidatura e tij shihet si një mundësi për përfaqësim të denjë dhe përmbushje të interesave të qytetarëve të Vushtrrisë dhe të Kosovës në Kuvend.
Ky vizion i ri synon ta kthejë Vushtrrinë në një model zhvillimi ekonomik dhe social, duke krijuar një të ardhme ku të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre në vendlindje, jo në rrugët e Evropës.