Universiteti i Harvardit ka paditur zyrtarisht administratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke e akuzuar për ngrirje të paligjshme fondesh, presion politik dhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj institucionit. Lajmi u bë i ditur nga presidenti i universitetit, Alan Garber, në një deklaratë zyrtare të publikuar në faqen e internetit të Harvardit.
Qeveria amerikane ka pezulluar së fundmi një shumë prej 2.2 miliardë dollarësh në financim për Harvardin dhe ka paralajmëruar një ngrirje shtesë prej 1 miliard dollarësh në fonde federale për kërkimin shkencor dhe projekte të tjera. Sipas Garberit, administrata po shqyrton gjithashtu heqjen e statusit jofitimprurës të universitetit, ndërkohë që ka hapur hetime të shumta mbi funksionimin e tij të brendshëm.
“Sapo kemi paraqitur një padi për të ndaluar këtë ndërhyrje të papranueshme. Ngrirja e fondeve është e paligjshme dhe tejkalon autoritetin e qeverisë,” u shpreh Garber. Ai paralajmëroi se këto veprime kanë pasoja reale për studentët, pacientët, studiuesit dhe për vetë reputacionin ndërkombëtar të arsimit të lartë amerikan.
Masat e marra nga qeveria vijnë pas refuzimit të Harvardit për t’iu bindur kërkesave politike të administratës Trump, të cilat përfshijnë ndërprerjen e programeve për diversitetin, ndalimin e maskave gjatë protestave dhe heqjen e kritereve racore dhe gjinore në proceset e pranimit dhe punësimit.
Një task-forcë speciale e krijuar nga administrata për të luftuar antisemitizmin, kishte urdhëruar javën e kaluar ngrirjen e fondeve ndaj Harvardit, duke pretenduar se universiteti nuk po vepron mjaftueshëm kundër antisemitizmit për shkak të protestave pro-palestineze në kampus. Megjithatë, në padinë e paraqitur thuhet se nuk ekziston asnjë lidhje mes protestave studentore dhe kërkimeve shkencore për të cilat janë bllokuar fondet.
“Mos bëni gabim: Harvardi refuzon antisemitizmin dhe çdo formë tjetër diskriminimi. Po ndërmarrim reforma të thella strukturore për të adresuar çdo shqetësim real,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Ky është rasti i parë në SHBA ku një universitet i madh reziston haptazi presionit të administratës, duke vendosur të mbrojë pavarësinë akademike dhe të drejtat e tij kushtetuese përballë një fushate të gjerë politike.