Policia ka arrestuar 23 persona, përfshirë ish-Ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe ish-Drejtori për Menaxhim me Kriza, Bekim Maksuti, si të dyshuar për tragjedinë që ndodhi mëngjesin e 16 marsit në një klub nate në Koçan. Hetimet po vazhdojnë, dhe janë siguruar edhe persona që kërkoheshin me fletë-arrest kombëtar.
Sipas hetimeve të policisë, zjarri i ndodhur ka shkaktuar tragjedinë si pasojë e përdorimit të fishekzjarrëve nga grupi muzikor që performonte në momentin e ngjarjes. Dyshohet se personi përgjegjës për këtë veprim ka ndërruar jetë gjatë hetimeve.
Gjithsej 11 persona janë mbajtur në paraburgim për 48 orë, nën dyshimin për vepra të rënda penale kundër sigurisë dhe nxitje të rrezikut të përgjithshëm. Ndër të arrestuarit janë edhe pronari jo formal i klubit, shitësi i biletave, katër persona të angazhuar si truproje, drejtuesi i agjencisë për sigurim, pronari i objektit dhe tre punonjës nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, në një deklaratë tha se hetimet kanë zbuluar se klubi nuk kishte kushte të përshtatshme sigurie. Objektet ishin të pajisura me vetëm dy aparate kundër zjarrit dhe mungonin dy dyer evakuimi, duke e bërë të pamundur një largim të sigurt në rast urgjence. Po ashtu, klubi nuk kishte një rrjet hidratimi dhe as sisteme të njoftimit të alarmit.
Toshkovski theksoi se ky incident është pasojë e një sistemi të shkatërruar shtetëror dhe bëri thirrje për masa radikale për të normalizuar situatën dhe për të luftuar korrupsionin që ka penguar funksionimin e duhur të institucioneve.
Hetimet janë vazhduar nga Prokuroria Publike dhe janë lëshuar urdhra arresti për të gjithë ata që janë të përfshirë në tragjedinë e Koçanit.