Historia e Kosovës përmes fotove, hapet ekspozita “Mos Harro” në Tiranë

Ekspozita “Mos Harro” me kurator historianin Ragip Zekolli, është hapur dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Ekspozita flet për dhunën, terrorin dhe gjenocidin serb në Kosovë, luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkrahjen e NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare, si dhe për plagën e të pagjeturve në luftën e Kosovës, raporton Telegrafi Shqipëri.

Zegolli tha se ekspozita përfshin ngjarjet më të rëndësishme e më të dhimbshme për Kosovën, që nga sulmet e 24 majit e deri me krijimin e institucioneve të pavarura. Pjesa e parë e ekspozitës përfshin dhunën, terrorin e gjenocidin serb. Pjesa tjetër është për të pagjeturit.

“Kjo ekspozitë përmban dhimbje. Pas çdo fotoje qëndrojnë dhe dhjetëra të tjera që s’kam mundur t’i publikoj”, shprehet historiani Zekolli.

Profesori ka deklaruar se shumica e këtyre fotove publikohen për herë të parë. Ekspozita e tij është ftuar të shkojë edhe në Shkup, ndërkohë që vetë kuratori i saj, thotë se vitin e ardhshëm ka synim ta cojë në të gjitha qendrat europiane me qëllim ndërgjegjësimin për të bërë më shumë për Kosovën pas 22 vitesh. /Telegrafi/

Next Post

Qëndroni me ne