Nga mesi i muajit dhjetor, Bashkimi Evropian ngriu një shumë prej disa miliardë eurosh për Hungarinë. Tani për Hungarinë janë në pikëpyetje gjithsej 22 miliardë euro. Vetëm në këmbim të reformave ka ende një mundësi për t’ia dhënë Hungarisë.
Në mosmarrëveshjen për respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës, përballë Hungarisë Komisioni Evropian i merr gjërat seriozisht.
KE-ja njoftoi ngrirjen e përkohshme të të gjitha fondeve të kohezionit që Hungaria do të marrë në vitet e ardhshme për 2023 dhe 2027.
Mungesë e lirisë për drejtësinë dhe diskriminim
KE-ja ka denoncuar prej vitesh shkeljet e parimeve të shtetit të së drejtës nga Hungaria, veçanërisht në lidhje me pavarësinë e drejtësisë, lirinë e shkencës dhe të drejtën e azilit. Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili ndalon ekspozimin e homoseksualitetit dhe transeksualitetit, gjithashtu nuk është në përputhje me Kartën Evropiane të të Drejtave Themelore. Siç ka theksuar komisionarja evropiane Elisa Ferreira, ndihma financiare nga Fondi i Kohezionit mund të ketë efekt vetëm “nëse korniza institucionale dhe ligjore është adekuate dhe nëse zbatohet në përputhje me rregullat dhe vlerat e BE-së”.
Eurodeputeti i të Gjelbërve, Daniel Freund foli për një “sensacion”.
“Përballë kursit autoritar të qeverisë hungareze nën Viktor Orbanin si dhe shkeljeve sistematike të të drejtave themelore, shtetit të së drejtës dhe parimeve demokratike, është absolutisht e drejtë të bllokohen paratë evropiane në një masë të tillë”, tha Ferund.
Fondet e para të ngrira në mes të dhjetorit
Një javë e gjysmë më parë, shumica e vendeve anëtare të BE-së kishin votuar për ngrirjen e një pjese të fondeve të kohezionit – vendet kishin rënë dakord për një shumë prej 6.3 miliardë eurosh. Gjermania kishte votuar gjithashtu pro ngrirjes së pagesave.
Kësaj i shtohen edhe 5.8 miliardë euro që do t’i paguheshin Hungarisë nga fondi i BE-së për rindërtimin e Corona-s dhe të cilat gjithashtu janë ngrirë.
Kërkohen shumë reforma
Për të qenë ende në gjendje të marrë fonde evropiane, Hungaria duhet të përmbushë tani një katalog të kërkesave të vendosura nga Komisioni Evropian. Ky plan përfshin 27 pika.
Komisionari Evropian për Çështjet Sociale, Nicolas Schmit nënvizoi gatishmërinë e BE-së për të “punuar ngushtë” me Hungarinë për të “siguruar që hungarezët të përfitojnë nga kjo ndihmë e rëndësishme e BE-së, duke respektuar plotësisht Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së”.
Qeveria hungareze ka nevojë për mbështetje financiare nga BE: inflacioni aktualisht është në 26 për qind. Për më tepër, Hungaria duhet të përballet me një borxh publik në rritje dhe një monedhë kombëtare gjithnjë e më të dobët.