Nga data 29 janar 2024, qytetarët kosovarë dhe italianë do të mund të përdorin patentat e tyre në të dyja shtetet pa nevojë për procedura shtesë. Kjo pasi ka hyrë në fuqi marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Italisë, të cilën e ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Kosovës.
Sipas MPB-së, kjo marrëveshje lehtëson procesin e konvertimit të dokumenteve, duke i larguar qytetarët nga procedurat e tepërta administrative, si ato teorike ashtu edhe praktike. “Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Republikën e Italisë”, u theksua në njoftimin e ministrisë.
Kjo marrëveshje vjen si një vazhdimësi e iniciativave të MPB-së për të lehtësuar njohjen e ndërsjellë të patenteve me vende të tjera. Në dhjetor 2023, ministria kishte njoftuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të ngjashme me Kroacinë. Ndërkaq, që nga viti 2022, MPB-ja po punon për arritjen e marrëveshjeve të tilla me Kanadanë, Turqinë dhe Austrinë, pas njohjes së patenteve nga Gjermania.
Me këtë marrëveshje, qytetarët e Kosovës që jetojnë ose udhëtojnë në Itali do të kenë më shumë lehtësi në përdorimin e dokumenteve të tyre, duke kontribuar në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.