Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për median amerikane “Bloomberg”, e ka konsideruar presidentin e SHBA, Donald Trump si “një e mirë për të gjithë”. Në lidhje me qëndrimin e ashpër të Trump ndaj BE, Rama tha se kjo është një mundësi për Unionin, që sipas tij ka humbur rrugën, “për të rizbuluar fuqinë e tij dhe për të ndërtuar ndikimin e tij global”.
“Kur Trump thotë se Zoti e shpëtoi atë për ta bërë Amerikën të madhe përsëri, ai tregon vetëm gjysmën e historisë. Gjysma tjetër është se Ai e shpëtoi Trump gjithashtu për ta bërë Evropën të zgjohet dhe të veprojë së bashku”, tha Rama.
“Bloomberg” shkruan se Shqipëria është vetëm një nga disa vende ballkanike në të cilat administrata Trump dhe bashkëpunëtorët kanë interes. Media amerikane thotë se kryeministri Rama ka zgjeruar kontaktin e tij me rrethin e brendshëm të Trump, teksa përmend edhe projektin e Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, i cili ka marrë miratimin paraprak nga qeveria shqiptare për një resort luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në Sazan.
“Ky do të jetë një nga projektet më të mëdha të planifikuara nga Kushner në Ballkan, i cili përfshin një hotel Trump të planifikuar në kryeqytetin serb të Beogradit”, shkruan media amerikane.
I pyetur nga “Bloomberg” nëse miratimi i projektit të Kushner ishte një përpjekje për të përfituar nga Trump, Rama tha:“Kushner e vizitoi ishullin, për herë të parë në vitin 2021 së bashku me bashkëshorten e tij, Ivanka Trump dhe të dërguarin special, Grenell. Në atë kohë, nuk ishte diçka që do të na jepte pikë politike në Uashington”, tha kryeministri shqiptar. Kishte të tjerë në pushtet dhe nuk ishte aspak e qartë se Trump mund të fitonte”.
Rama e cilësoi marrëdhënien e tij me Kushner si personale.
“Jam i privilegjuar të flas me Kushner dhe do të isha shumë i lumtur ta quaja mik. Nuk e di nëse ai më quan mik, por unë e quaj mik”, shtoi Rama.