Instituti i Kosovës për Drejtësi deponoi sot (e premte) tek Avokati i Popullit, kërkesë për fillimin e hetimeve për shkelje të të drejtave të njeriut dhe inicim në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
IKD-ja I kërkon Avokatit të Popullit, që sipas kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, ta procedojë këtë ligj për vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese.
“Me qëllim të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, reagimi i Avokatit të Popullit në këtë situatë është i domosdoshëm”, deklaron IKD-ja.
IKD më 22 dhjetor 2022 ka publikuar analizën “Pagat në Sektorin Publik”. Në këtë analizë, gjetjet e këtij instituti tregojnë për probleme serioze kushtetuese të Ligjit NR. 08/L-196 për Paga në Sektorin Publik.
Ndonëse ky Ligj nuk ka përcaktuar vlerën monetare të koeficientit, nga fryma e përgjithshme e tij (si psh. përcaktimi i dispozitave mbi shtesën transitore) dhe nga disa prej raportimeve, IKD-ja thotë se shihet një tendencë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.