Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka akuzuar Kuvendin e Kosovës për shkeljen e të drejtave të mbi 90,000 zyrtarëve publikë, pas reduktimit të përqindjes së shtesës mbi përvojën e punës për 15 vitet e para nga 0.5% në 0.25%. Ky konstatim u bë gjatë një diskutimi publik të organizuar nga IKD.
Në këtë ngjarje, u theksua se nëse Kuvendi nuk vepron, zyrtarët publikë kanë të drejtën të kërkojnë kompensim përmes gjykatës. Sipas ekspertëve, kjo mund të çojë në një vërshim të gjyqësorit me mbi 90,000 lëndë dhe një ngarkesë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit për shpenzimet procedurale dhe kamatën ligjore.
Gëzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, theksoi se nëse Kuvendi nuk ndërmerr veprime për realizimin e së drejtës së zyrtarëve publikë, ata mund të kërkojnë mbrojtje gjyqësore dhe kompensimin e dëmit për shkak të mosveprimit të Kuvendit.
“Zyrtarët publikë kanë pësuar tashmë dëm. Nëse Kuvendi nuk vepron, ata kanë të drejtën të kërkojnë mbrojtje gjyqësore dhe të kërkojnë kompensimin e dëmit përmes Gjykatës”, tha Shala. Ai shtoi se ky proces mund të sjellë një numër të madh lëndësh, deri në 90,000 raste të reja, që do të duhej të trajtoheshin një për një nga gjykatat.
Përpos ndikimit në efikasitetin e punës së gjykatave, Shala paralajmëroi se shpenzimet për procedurat gjyqësore do të rëndojnë buxhetin e shtetit. Ai bëri një llogaritje dhe theksoi se vetëm për shpenzimet procedurale, pa përfshirë kamatën ligjore dhe shpenzimet përmbarimore, do të nevojiteshin 35,770,502 euro.
Përparim Gruda, deputet i ardhshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha se është e papranueshme që një vend demokratik nuk i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, Kuvendi nuk po zbatuar aktgjykimin e Kushtetueses, jo për shkak të mungesës së mundësive ligjore apo teknike, por sepse liderët nuk dëshirojnë të veprojnë.
“Kjo është një situatë e papranueshme për një vend që pretendon të jetë demokratik dhe të respektojë shtetin e së drejtës. Ky bojkot i aktgjykimeve kushtetuese tregon një qasje të strukturuar që e konsideron sundimin e ligjit si të negociueshëm,” tha Gruda.