Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mori pjesë sot në përkujtimoren e 26-vjetorit të rënies dhe përurimin e shtatores së dëshmorit të kombit, Indrit Cara, organizuar në Kavajë nga Bashkia e qytetit.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shprehu krenarinë e madhe për shtatoren e vendosur në qendër të qytetit, e cila do të bëhet një simbol i rëndësishëm për Kavajën dhe gjithë Shqipërinë. “Nga sot, sheshi në qendër të Kavajës është më i bukur, më domethënës, më simbolik, i plotësuar me shtatoren e birit të qytetit, ushtarit të Kavajës dhe shqiptarisë, dëshmorit të kombit, të rënë në luftën për çlirimin e Kosovës, krenarisë së Kavajës patriote, luftëtarit të UÇK-së, Indrit Cara – Ushtar Kavaja,” shkruajti ajo.
Në ceremoninë e përkujtimit, ishin të pranishëm një sërë personalitetesh të larta, përfshirë Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, ish-Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral-lejtnant Arben Kingji, Ministrin e Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci, Ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, Prefektin e Tiranës, Afrim Qendro, Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, Kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, familjarë dhe të afërm të dëshmorit, si dhe qytetarë të Kavajës.
Ky event shënoi një moment të rëndësishëm për nderimin e Indrit Carës, një heroi të kombit, i cili ra për lirinë e Kosovës dhe ishte simbol i flijimit dhe atdhedashurisë.