Instituti Atlas ka paraqitur një propozim për heqjen e TVSH-së në faturat e energjisë elektrike si një masë për të ulur çmimin e energjisë në Kosovë deri në 36% gjatë viteve 2025 dhe 2026. Ky propozim gjithashtu kërkon që të zbatohet opinioni i Avokatit të Popullit dhe vendimet e gjykatave të Kosovës, duke mundësuar kthimin e 132.5 milionë eurove të paguara padrejtësisht nga konsumatorët për konsumimin e energjisë në veriun e Kosovës.
Ky propozim vjen pas diskutimeve të mundshme për rritjen e të hyrave maksimale të lejuara nga Regulatori i Energjisë (ZRrE) me 15%. “Nëse ZRRE vendos të rrisë të hyrat maksimale të lejuara me 15%, Instituti Atlas kërkon nga Qeveria e Kosovës që të heqë TVSH-në prej 18% në faturat e energjisë elektrike dhe të zbatojë vendimet e Avokatit të Popullit dhe gjykatave të Kosovës, duke mundësuar kthimin e 132.5 milionë eurove të paguara padrejtësisht për konsumatorët në veri,” thuhet në propozimin e Institutit Atlas. Zbatimi i këtyre masave, sipas Institutit, do të mundësojë uljen e çmimit të energjisë elektrike me 36% në vitet 2025 dhe 2026.