Simone Inzagi po bën epokë te Interi. Që nga vera e vitit 2021, kur Antonio Konte u largua pasi riktheu titullin pas 11 vitesh, zikaltërit përjetuan një tjetër kthesë të rëndësishme. Nën drejtimin e Inzagit, skuadra jo vetëm që ka arritur rezultate të shkëlqyera dhe ka thyer një sërë rekordesh, por edhe ka ndërtuar një model të qëndrueshëm suksesi, duke rritur ndjeshëm vlerën e lojtarëve në merkato.
Drejtori sportiv Beppe Marota sjell lojtarë me kosto të ulët, ndërsa Inzagi i përmirëson dhe i transformon në asete të çmuara. Ky bashkëpunim i suksesshëm ka kthyer stabilitetin në klub dhe po jep fryte të prekshme.
Disa prej shembujve më të spikatur janë:
-
André Onana, i transferuar falas, u shit për 50 milionë euro te Manchester United.
-
Marcus Thuram, i ardhur pa pagesë, tashmë vlerësohet në 85 milionë euro.
-
Yann Bisseck, i blerë për 7 milionë, tani vlerësohet mes 30 dhe 40 milionë eurove.
-
Carlos Augusto, i marrë për 13 milionë, sot ka trefishuar vlerën.
Përveç prurjeve të reja, edhe bërthama e skuadrës është zhvilluar ndjeshëm nën drejtimin e Inzagit:
-
Federico Dimarco, nga 18 milionë në 60 milionë euro.
-
Alessandro Bastoni, është shndërruar në një nga mbrojtësit më të shtrenjtë në botë.
-
Nicolo Barella, ka rritur vlerën me 10 milionë euro.
-
Lautaro Martinez, nga 75 milionë në 95 milionë euro.
Puna e Inzagit është e qartë dhe shumë e vlerësueshme – jo vetëm që po fiton trofe dhe ndeshje, por po ndërton një Inter të qëndrueshëm ekonomikisht dhe sportivisht, ku çdo lojtar rritet profesionalisht dhe ekonomikisht.
Sezoni aktual mbetet sfidues dhe kërkon konkretizimin e këtij progresi me fitimin e trofeve, por filozofia “Marota blen – Inzagi zhvillon” tashmë po tregon se është një recetë suksesi.