Në një atmosferë vëllazërie dhe bashkëpunimi, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka vizituar selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për të festuar Fitër Bajramin, ku është pritur nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Gjatë vizitës, Ipeshkvi Gjergji ka uruar besimtarët myslimanë për këtë ditë të shenjtë, duke theksuar rëndësinë e sakrificës dhe bamirësisë. Ai ka shprehur se çdo veprim i bërë në emër të dashurisë për Zotin dhe njeriun është i çmuar dhe do të shpërblehet nga Zoti.
“Çdo sakrificë që bëhet në emër të dashurisë për Zotin, çdo bamirësi që bëhet në emër të dashurisë për njeriun është për t’u vlerësuar dhe Zoti sigurisht e shpërblen,” ka thënë Ipeshkvi Gjergji.
Ai ka përmendur gjithashtu se festiviteti i Bajramit është një mundësi për të ndarë gëzim dhe dashuri, pa marrë parasysh besimin e individëve. “Uroj në çdo familje tonën pa marrë parasysh nëse besojnë apo nuk besojnë, apo kanë fe të ndryshme. Ne të gjithë jemi vëllezër dhe duam të jetojmë me gëzim, dashuri, bashkëndje dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin,” shtoi ai.
Ky moment i bashkimit ndërmjet komunitetit katolik dhe mysliman është një dëshmi e forcës së bashkëjetesës dhe unitetit në Kosovë.