Kritika ka për funksionimin dhe legjitimitetin e Speciales, derisa shprehet i bindur se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të dalë i pafajshëm.
“Nëse është një gjykatë serioze, ju do të shpalleni të pafajshëm, të gjithë ju, për mungesë të provave sepse në një gjykatë normale dënohen njerëzit vetëm nëse nuk ka dyshimin më të vogël”, tregon ai derisa kujton bisedën që kishte pasur me ish-presidentin lidhur me Gjykatën Speciale.
Sipas tij, fakti që Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij ndodhen në paraburgim prej pesë vitesh është i pajustifikueshëm dhe për pasojë, gjykimi është zvarritur qëllimisht për përfitime të brendshme të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Janë bërë dy vjet prej kur ka nis ai që njihet si gjyqi i madh-rasti gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Zyrës së Prokurorit të Specializuar ju deshën dy vjet prej nisjes së gjykimit dhe gati 5 vjet prej kur ish-eprorët e UÇK-së po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, që të përmbyllë çështjen e saj, përcjell Periskopi.
“Jo, nuk e prisja që të merrte kaq shumë kohë. Sidomos kjo periudhë para-gjyqësore ka qenë jashtëzakonisht e gjatë. Dhe gjithashtu, unë e kam ndjekur, ka marrë shumë kohë para se të fillonin. Nuk kam qenë kurrë pro kësaj gjykate… Kam frikë që shumë nga këta prokurorë dhe gjyqtarë, ata e pëlqejnë sepse paguhen shumë, kështu që sa më shumë të zgjat, aq më shumë ata marrin. Pra, mendoj se ishte një gjë e tmerrshme, dhe mendoj se është një gjë e tmerrshme që të mbahen njerëzit në paraburgim kaq gjatë, dhe sidomos ata që erdhën vullnetarisht”, thotë ai.
Duke u kthyer në fillimet e Gjykatës Speciale, ish-ambasadori përmend rolin kyç të raportit të Dik Marty, i cili pretendonte trafikim organesh nga UÇK-ja. Ai thotë se ky raport ishte i dobët dhe i pabazë, por u përdor si arsye politike për të ndërtuar një gjykatë të re me ndikim ndërkombëtar, për të kënaqur kërkesat e udhëheqësve serbë të kohës, si Boris Tadiq.
Ndonëse ishte ambasador, Bosch tregon për KosovaPress se kishte shprehur hapur qëndrimin e tij kundër një gjykate speciale.
“Isha kundër gjykatës, gjithmonë kam qenë i bindur që nuk ishte e vërtetë, sepse serbët kishin bërë akuzime të tilla gjithashtu ndaj boshnjakëve, të cilat gjithashtu ishin plotësisht pa baza. Kjo është taktika e tyre, taktika e tyre për të bërë akuzime të mëdha dhe pastaj rezulton se ato nuk kishin asnjë bazë… Unë isha ambasador, dhe paguhesha nga qeveria holandeze, kështu që duhej të bëja atë që ata më thanë të bëja. Sigurisht, duhej ta bëja edhe nëse në privat mund të thosha që nuk pajtohem, prapë, duhej të thosha se duhet bërë. Problemi ishte Raporti Marty. Raporti Marty e nisi gjithçka. Raporti Marty, që mendoj se ishte një raport jashtëzakonisht i keq, që gjithashtu ia raportova Holandës që ishte një raport shumë i keq pasi e lexova, dhe ata u nervozuan shumë me mua që nuk duhet ta bëja, kush mendoj se jam unë që të kritikoj një person kaq të rëndësishëm. Sidoqoftë, ata nuk e pëlqyen që unë e thashë”, thotë Bosch.
Ish-ambasadori holandez tregon për KosovaPress se si e kishte menduar Gjykatën Speciale.
“E mbaj mend, kam folur me Thaçin, ndoshta një vit përpara, dhe atëherë ai më pyeti, ‘çfarë mendoni për këtë gjykatë?’ dhe i thashë, dëgjo, nëse nuk është një gjykatë ‘kangur’ (jozyrtare), nëse është një gjykatë serioze, ju do të shpalleni të pafajshëm, të gjithë ju, për mungesë të provave sepse në një gjykatë normale dënohen njerëzit vetëm nëse nuk ka dyshimin më të vogël. Dyshimin më të vogël. Pastaj ata thonë se ju jeni shpallur të pafajshëm për mungesë provash. Pra, kjo nuk është e vërtetë, por nuk mund të gjykoni pa ndonjë dyshim sepse nëse i keni dëshmitarët nga Serbia, i thashë atij, nuk mund t’i besoni atyre, sepse ata kanë interes që të ju bëjnë të dukeni keq. Pra, nuk mund t’i besoni atyre. Kjo është arsyeja pse, normalisht, duhet të liroheni”, thotë Bosch.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Prokuroria tha se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
ZPS-ja solli dëshmitarë ish-pjesëtarë të UÇK-së ish-figura politike, përfaqësues ndërkombëtarë, e të tjerë që nuk dihet identiteti tyre. Avokatët hodhën poshtë të gjitha akuzat dhe argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Por mbrojtja nuk arriti t’i kundërshtojë në gjykatore miliona faqe me dokumente që erdhën si dëshmi me shkrim. Rasti i ZPS-së po konsiderohet i dobët.
Ish-ambasadori tregon se si pret të përfundojë ky proces.
“Ajo tani po përfundon. Shpresojmë që do të ndalojë vërtet, por duhet të shohim, sepse problemi është që gjykata ka thënë se UÇK-ja ishte një organizatë kriminale dhe që Thaçi dhe të tjerët ishin në krye të saj… Mendoj se, nëse do të kishte ndonjë provë që ai ka bërë personalisht diçka, ose ndonjë prej të tjerëve ka bërë personalisht diçka, mendoj se është në rregull t’i ndjekin ata. Por nuk mund t’i bësh ata përgjegjës për gjithçka në UÇK, sepse, së pari, UÇK-ja nuk ishte një organizatë hierarkike, ishin grupe të lira, Haradinaj gjithashtu ishte UÇK, por nuk kishte asnjë lidhje me Thaçin, kështu që ato ishin grupe të ndryshme. Pra, nëse ai dënohet, bazuar në faktin që ai supozohej të ishte kreu i një organizate kriminale, që përsëri, nuk është e vërtetë, atëherë mendoj se do të ishte e turpshme. Do të ishte një turp dhe një skandal për gjykatën, sepse nuk është e vërtetë”, thotë ish-ambasadori Robert Bosch.
Të turpshëm e quan edhe vendimin e Gjykatës për të mos e lejuar ish-presidentin Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij në mars të këtij viti.
Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi u lejua ta vizitonte babain derisa ishte i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vetëm pak ditë para se ky i fundit të ndërronte jetë.
Homazhe tek varri i Haxhi Thaçit u lejua të bënte dy ditë pas varrimit.
“Ka pasur ndikim tashmë. Dua të them, ai nuk mund të shkonte as në varrimin e babait të tij, që natyrisht, ishte vërtet turp, vërtet turp, kundër të gjitha rregullave normale, dhe sidomos në një vend si i juaji, ku familja gjithmonë ka shumë rëndësi, por në vendin tuaj është akoma më e rëndësishme. Pra, t’i mohosh mundësinë për të shkuar në varrimin e babait të tij, natyrisht, është tmerruese. Pra, jetët e tyre janë ndikuar. Dhe, natyrisht, nëse pesë vjet të jetës suaj janë marrë në kohën kur ishit më në formë, kjo është, natyrisht, e tmerrshme, dhe do të vuani gjithmonë nga kjo.
Ish-ambasadori komenton edhe pozitën e institucioneve të Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale.
“Duhet të ketë, natyrisht, shumë dënime për rastin e varrimit. Ka pasur. Dhe mendoj se edhe Edi Rama ka qenë shumë aktiv për të dënuar dhe kritikuar këtë. Qeveria juaj ndoshta pak më pak. Sigurisht, ata kanë bërë, por jo më shumë se sa është e nevojshme, sepse, me gjithë respekt, Thaçi ishte kundërshtari i Kurtit. Pra, mendoj se, po. A duhet të bëjnë më shumë? Po, tani nuk ka më kuptim, sepse tani ka përfunduar. Mendoj se tani gjithçka është bërë. Ata (pozita) kanë bërë. Por ata kanë bërë aq sa duhej të bënin, ata nuk shkuan më tej, nëse kuptoni çfarë dua të them. Por Rama e bëri. Kjo është politikë”, thotë ai.
Ndryshe, avokatët e ish-eprorëve të UÇK-së janë shprehur optimistë se në fund do të ketë rezultat pozitiv. Katër ekipet mbrojtëse do të kërkojnë rrëzimin e pjesëve të caktuara të aktakuzës, ku përfshihen pretendime për krime lufte në Kosovë.