Ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet në Rripin e Gazës, duke shkaktuar viktima të shumta mes popullsisë civile. Sipas televizionit Al Jazeera, të paktën 39 persona u vranë sot në sulme ajrore që përfshinë zona të ndryshme të enklavës palestineze. Ministria e Shëndetësisë në Gaza konfirmoi se gjatë 48 orëve të fundit janë vrarë gjithsej 92 persona dhe janë plagosur 219 të tjerë.
Sulmet izraelite janë raportuar në disa pjesë të Gazës, përfshirë qytetin jugor Rafah, zonën e Khan Younis – ku shumë palestinezë të zhvendosur jetojnë në tenda – kampin e refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore, si dhe në veri, në Beit Lahia dhe Beit Hanoun. Në Khan Younis janë raportuar 11 viktima, pjesa më e madhe prej tyre civilë.
Ndërkohë, në Bregun Perëndimor të pushtuar, forcat izraelite arrestuan tetë palestinezë në një kamp refugjatësh, sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa.
Që nga rifillimi i luftimeve pas përfundimit të armëpushimit më 18 mars, numri i viktimave është rritur ndjeshëm. Ministria e Shëndetësisë në Gaza bëri të ditur se që prej fillimit të konfliktit në tetor 2023, numri i të vrarëve palestinezë ka arritur në 51,157. Vetëm pas rifillimit të sulmeve, janë vrarë 1,783 persona.