Një dron izraelit goditi një apartament në një kamp refugjatësh palestinezë pranë qytetit port të Tripolit në Libanin veriperëndimor. Sipas njoftimeve, ka disa të vdekur dhe të plagosur. Ky ishte sulmi i parë në zonë që kur Izraeli filloi një ofensivë më shumë se dy javë më parë, sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa. Sipas Reuters, kreu i krahut të armatosur të Hamasit, Brigadave Ezedin al-Qassam, Said Atalah, thuhet se është vrarë në këtë sulm. Izraeli ende nuk është përgjigjur ndaj këtyre akuzave. Sipas Hezbollahut, përleshjet po zhvillohen me trupat izraelite në zonën përgjatë kufirit me Izraelin, ku luftëtarët e tyre thuhet se kanë zmbrapsur disa sulme izraelite në afërsi të fshatit kufitar Odais. Sipas dpa, Hezbollah ka njoftuar se ka lëshuar raketa në veri të Izraelit. Ai më vonë njoftoi se kishte gjuajtur disa raketa në një bazë ajrore izraelite pranë Haifës, sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP. Sipas ushtrisë izraelite, Hezbollahu hodhi më shumë se 200 raketa nga Libani në territorin izraelit të premten.
Ushtria izraelite njoftoi sot se ka kryer një sulm ndaj luftëtarëve të Hezbollahut në një xhami në Libanin jugor të premten në mbrëmje, raporton AFP. “Forcat ajrore sulmuan terroristët e Hezbollahut që vepronin në një qendër komanduese brenda një xhamie pranë spitalit Salah Ghandour në Libanin jugor”, tha ushtria izraelite.
Sipas autoriteteve libaneze, më shumë se 2000 njerëz janë vrarë deri më tani nga bombardimet e Izraelit ndaj Libanit.
Ministri i Jashtëm i Iranit këmbëngul për një armëpushim në Liban dhe Gaza
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Aragchi tha sot gjatë vizitës së tij në kryeqytetin sirian se duhet të arrihet një armëpushim në Liban dhe Gaza.”Armëpushimi në Liban dhe Gaza është aktualisht çështja më urgjente dhe ne shpresojmë që përpjekjet në këtë drejtim do të japin fryte. ”, deklaroi ai sipas raportimeve të agjencive të huaja të shtypit. Kreu i diplomacisë iraniane, i cili mbërriti në Damask nga Bejruti, e përshkroi Izraelin si pengesën kryesore në këto përpjekje dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të qëndrojë mënjanë nga “krimet e luftës” të Izraelit për të bërë të mundur paqen, raporton agjencia iraniane e lajmeve Irna. , siç është përmbledhur nga agjencia gjermane e shtypit dpa. Presidenti sirian Bashar al-Assad tha se Irani i dha Izraelit një mësim me sulmin raketor të së martës, tha zyra e tij, sipas AFP. Hedhja e rreth 200 raketave në Izrael ishte “një përgjigje e fortë dhe i dha një mësim regjimit sionist”, tha ai gjatë takimit me Aragchi.
Izraeli njoftoi masa hakmarrëse pas sulmeve me raketa iraniane. Sipas vëzhguesve, nëse këto do të përfundonin me sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane, kjo do të kishte pasoja të rënda, prandaj Teherani po përpiqet ta parandalojë këtë skenar me gjeste paqeje, transmeton dpa.
Të premten, Aragchi ishte me nxitim për në Bejrut, ku ushtria izraelite intensifikoi sulmet e saj në kryeqytetin libanez. Siç njoftoi Aragchi, i cili u takua me kryeministrin libanez Najib Mikati në Bejrut, Irani do të nisë një fushatë diplomatike për të mbështetur Libanin.
Në shtator, Parisi dhe Uashingtoni, së bashku me vendet arabe dhe evropiane, bënë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm 21-ditor midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban për t’i “i dhënë një shans diplomacisë”. Izraeli e injoroi këtë iniciativë dhe në vend të kësaj shtoi sulmet që vranë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi rreth 200 raketa në drejtim të Izraelit dhe Izraeli njoftoi hakmarrjen.
Njësitë Unifil mbeten në pozicion
Misioni paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL), i cili është i vendosur përgjatë kufirit midis Izraelit dhe Libanit, njoftoi sot se po “ruan pozicionet e tij” pavarësisht kërkesës së ushtrisë izraelite për zhvendosjen e disa njësive, raporton agjencia franceze e lajmeve AFP. Sipas Unifil, më 30 shtator, ushtria izraelite i kërkoi atij që “të tërhiqte forcën paqeruajtëse nga disa pozicione” dhe e informoi atë se “synon të kryejë inkursione të kufizuara tokësore në Liban”. Në një komunikatë për media, Unifil ka theksuar se forcat paqeruajtëse janë ende të pranishme në të gjitha lokacionet. Ata vunë në dukje se siguria e paqeruajtësve është parësore dhe paralajmëruan të gjitha palët që ta respektojnë atë. Libani dhe Izraeli kërkuan gjithashtu respektimin e Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit si zgjidhja e vetme për vendosjen e stabilitetit në rajon.
Rezoluta që i dha fund luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut në vitin 2006 përcakton se vetëm paqeruajtësit dhe ushtria libaneze mund të jenë në zonën midis kufirit izraelito-libanez dhe lumit Litani në Libanin jugor. Rezoluta bën thirrje për tërheqjen e të gjitha forcave të tjera të armatosura, përfshirë Hezbollahun. Rreth 10,000 paqeruajtës janë të vendosur në Libanin jugor dhe OKB, e cila mbikëqyr paqeruajtjen në rajon.