Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë e Bashkimit Evropian, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Tiranë, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Pas Malit të Zi, Kallas vjen në kryeqytetin shqiptar, ku pritet të zhvillojë takime me liderët e lartë të shtetit.
Gjatë vizitës, Kallas do të takohet me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama, ku do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat. Më pas, ajo do të zhvillojë takime edhe me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, si dhe Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Në kuadër të vizitës, Kallas do të hapë Dialogun e parë BE-Shqipëri për Sigurinë dhe Mbrojtjen, bashkë me ministrat Hasani dhe Vengu. Ajo do të marrë gjithashtu pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të grantit nga Banka Evropiane për Investime dhe të marrëveshjeve të huas për projektin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë.
Pas Tiranës, nesër, Kallas do të udhëtojë për në Bosnje e Hercegovinë, ku do të zhvillojë takime me krerët e Presidencës trepalëshe dhe figura të tjera të rëndësishme të shtetit.