Sipas burimeve jozyrtare, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të ofrojnë deri në 40 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën gjatë këtij viti. Propozimi vjen përpara takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, të planifikuar për të hënën.
Sipas dokumentit të paraqitur fillimisht në shkurt, Kallas ka kërkuar që shtetet pjesëmarrëse të sigurojnë të paktën 20 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën në vitin 2025, me mundësinë e dyfishimit të kësaj shume nëse kushtet e lejojnë.
Një pjesë e fondit, rreth 1.9 miliardë euro, pritet të sigurohet nga të ardhurat e menaxhimit të aseteve ruse të ngrira si pjesë e sanksioneve të vendosura nga Perëndimi.
Plani parashikon forcimin e mbështetjes për Ukrainën përmes furnizimit me municione artilerie, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe programe trajnimi për trupat e saj. Gjithashtu, përfshin garantimin e sigurisë për Kievin. Në versionin fillestar të propozimit, nuk ishte përcaktuar një shumë specifike e ndihmës.