Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar si një cikël absurd seancash të përsëritura çdo 48 orë, të cilat zhvillohen pa asnjë reflektim politik apo rezultat konkret.
Sipas KDI-së, mungesa e një përpjekjeje serioze për arritjen e marrëveshjes për një shumicë të qëndrueshme, dhe kandidimi i vazhdueshëm i të njëjtit emër për pozita të rëndësishme, e ka degraduar procesin kushtetues në një formalitet bosh.
Në deklaratë theksohet se Rregullorja e Punës së Kuvendit ka kuptim vetëm nëse respektohet në frymën e saj – funksionalitetin demokratik të institucionit. Ajo nuk duhet të përdoret si justifikim për mungesë vullneti politik apo për të ruajtur një status-quo të pajustifikueshme.
KDI apelon që bllokada aktuale nuk mund të trajtohet vetëm teknikisht, por kërkon ndërhyrje në nivel politik. Në këtë kontekst, KDI i bën thirrje Presidentes së Kosovës që të ndërmarrë iniciativë duke thirrur një takim me liderët e partive parlamentare për të diskutuar një zgjidhje të mundshme.
Sipas institutit, Kushtetuta i jep Presidentes mandatin për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, dhe në këtë situatë bllokimi të Kuvendit, angazhimi i saj nuk është vetëm i arsyeshëm, por i domosdoshëm.