Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në 01:30, nën udhëheqjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë. Mbledhja u thirr menjëherë pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, i cili ka goditur infrastrukturën kritike të vendit, duke shënjestruar sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Indikacionet e para të hetimeve sugjerojnë se sulmi është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitetet dhe mundësitë për të realizuar një akt të tillë kriminal dhe terrorist. Këshilli theksoi lidhjet e mundshme të këtij sulmi me organizatat terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” dhe individë të lidhur me kriminelët e njohur si Millan Radoiçiq, të cilët veprojnë nën udhëheqjen e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë. Kjo lidhje është theksuar edhe për shkak të ngjashmërive me sulmet e fundit të Rusisë në Ukrainë, ku kapacitetet energjetike të Ukrainës u goditën, duke lënë mbi një milion amvisëri pa energji elektrike.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit diskutuan masat emergjente që janë ndërmarrë për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike. Kryeministri Kurti dhe anëtarët e tjerë të Këshillit siguronin qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji do të rregullohet sa më shpejt, ndërkohë që janë marrë hapa për të forcuar sigurinë rreth objekteve kritike si ura, trafostacione dhe kanale.
Për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen, janë intensifikuar masat për forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë do të jenë të angazhuara në terren për të mbrojtur objektet strategjike dhe për të siguruar situatën.
Kryeministri Kurti theksoi angazhimin e shtetit për të mbrojtur qytetarët dhe infrastrukturën kritike, duke theksuar se çdo akt që synon destabilizimin e Kosovës dhe kërcënimin e paqes dhe funksionimit demokratik do të hasë në përgjigje të fortë. Ai kërkoi nga faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë sulm, i cili ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Institucionet e Kosovës po punojnë maksimalisht për të siguruar se autorët e këtyre akteve kriminale do të përballen me drejtësinë, dhe po ashtu, kërkohet bashkëpunimi i qytetarëve për të shmangur dezinformatat dhe keqinterpretimet që mund të jenë pjesë e luftës hibride kundër shtetit.