Peter Navarro, këshilltari kryesor i presidentit Donald Trump për tregtinë dhe prodhimin, ka kundërshtuar ashpër thirrjen e miliarderit Elon Musk për “zero tarifa” midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, duke e quajtur Musk-un një “montues makinash” dhe duke nënvizuar se ai është i varur nga pjesët e importuara.
Navarro, i njohur si arkitekti i politikave tarifore të Trump, shprehu pakënaqësinë e tij në një intervistë me CNBC, duke theksuar se, megjithëse Musk ka bërë një punë të shkëlqyer për të përmirësuar qeverinë, ai nuk ka të drejtë të flasë për tarifat.
“Kur bëhet fjalë për tarifat dhe tregtinë, ne të gjithë e dimë që Elon nuk është një prodhues makinash. Ai është një montues makinash,” tha Navarro, duke shtuar se shumë nga pjesët e Tesla vijnë nga Japonia, Kina dhe Tajvani.
Navarro e shpjegoi se ai dhe ekipi i Trump kërkojnë që prodhimi i pjesëve të bëhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ajo që ne duam, dhe ndryshimi mes mendimit tonë dhe atij të Elon Musk, është që gomat të prodhohen në Akron, duam që transmisionet të prodhohen në Indianapolis,” theksoi ai.
Musk iu përgjigj deklaratave të Navarro duke silmuar ish-profesorin e tij të Harvardit për mendimin akademik, duke e quajtur “doktoraturën në Ekonomi nga Harvard” një “gjë të keqe, jo një gjë të mirë.”