Pekini u zotua të marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të pohuar sovranitetin e tij mbi Tajvanin pas raundit të fundit të shitjeve të armëve amerikane në ishullin e vetëqeverisur, të cilin Kina e pretendon si të vetin. Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi të premten një paketë të shitjes së armëve prej 2 miliardë dollarësh (1.85 miliardë euro) për Tajvanin, e cila përfshin sisteme raketore tokë-ajër dhe radarë.
Kina premton kundërmasa për marrëveshjen e armëve me Tajvanin
Paketa e fundit e armëve “shkel seriozisht sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës, dëmton seriozisht marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe rrezikon paqen dhe stabilitetin” në ngushticë, tha ministria e jashtme e Pekinit në një deklaratë të shtunën vonë. “Kina e dënon dhe e kundërshton me vendosmëri atë dhe ka paraqitur përfaqësime solemne me SHBA-në”, tha një zëdhënës i ministrisë. Ministria u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë menjëherë armatosjen e Tajvanit. Ai shtoi se Pekini “do të marrë kundërmasa të vendosura dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar, sigurinë dhe integritetin territorial”. Kina ka refuzuar më parë të përjashtojë përdorimin e forcës për të vënë nën kontrollin e saj Tajvanin.
Tajvani mirëpret marrëveshjen e armëve prej 2 miliardë dollarësh
Ndërsa marrëveshja ende duhet të miratohet nga Kongresi, Ministria e Mbrojtjes e Taipeit tha të shtunën se do të “ndihmonte ushtrinë të vazhdojë të përmirësojë qëndrueshmërinë e saj të mbrojtjes dhe të ruajë së bashku paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit”. Megjithëse SHBA nuk mban lidhje zyrtare diplomatike me Tajvanin, ajo është e detyruar me ligj t’i sigurojë ishullit mjetet për t’u mbrojtur nga një sulm kinez. Vetëm nën administratën e Bidenit, ka pasur 17 shitje armësh në Tajvan. “Përballë kërcënimeve të Kinës, Tajvani është i detyruar të mbrojë atdheun e tij dhe do të vazhdojë të tregojë vendosmërinë e tij për të mbrojtur veten”, tha Ministria e Mbrojtjes Tawaineze. Më herët në tetor, Tajvani tha se zbuloi 153 avionë ushtarakë kinezë dhe 14 anije të marinës përreth ishullit – të cilin ministria e mbrojtjes e quajti një rekord njëditor – ndërsa Kina zhvilloi një stërvitje të madhe lufte. Pekini tha se stërvitja duhet të shërbejë si një paralajmërim kundër “akteve separatiste”.