Qeveria e qëndrueshme e Gjermanisë po përballet me një krizë të thellë pas prishjes së koalicionit qeverisës. Pas mosmarrëveshjeve mbi ekonominë e dobësuar të vendit, kancelari Olaf Scholz shkarkoi ministrin e financave, Christian Lindner, duke nxitur kështu tërheqjen e partisë së tij, Demokratët e Lirë (FDP), nga koalicioni. Pas kësaj lëvizjeje, Scholz mbetet në një qeveri të pakicës së bashku me Partinë e Gjelbër dhe ka njoftuar se do të thërrasë një votëbesimi më 15 janar. Nëse ai humbet, vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm, përpara zgjedhjeve të planifikuara për shtator 2025.
Kriza politike shpërtheu menjëherë pas fitores së ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili pritet të rifillojë mandatin e tij të dytë. Një lëvizje e tillë, mund të sjellë ndikime të thella në ekonominë gjermane dhe të rrezikojë bashkëpunimin evropian në çështje kyçe.
Zgjedhje të parakohshme: Sa të pazakonta janë për Gjermaninë?
Stabiliteti politik ka qenë gjithmonë normë për Gjermaninë, ku pushteti zakonisht kalon mes Socialdemokratëve të SPD-së dhe rivalëve konservatorë të CDU-së. Angela Merkel, një figurë e qëndrueshme në politikën evropiane për 16 vjet, përfaqësoi këtë stabilitet, edhe në përballje me një marrëdhënie shpesh të tensionuar me Trump-in. Zgjedhjet e fundit të parakohshme në Gjermani u mbajtën në vitin 2005, të thirrura nga kancelari i atëhershëm Gerhard Schröder, i cili humbi përballë Merkel-it.
Pas tërheqjes së Merkel-it në 2021, SPD-ja e qendrës së majtë u shfaq si partia më e madhe në parlamentin gjerman. Qeveria e re formoi një koalicion me FDP-në dhe të Gjelbërit, të njohur si koalicioni “semafor”, që nga dhjetori i atij viti.
Sfida e koalicionit “semafor”
Koalicioni tre-partiak u përball me sfida që në fillim për shkak të dallimeve ideologjike. FDP-ja, një parti e përqendruar te biznesi dhe një politikë të kujdesshme fiskale, u përball me SPD-në dhe të Gjelbërit, që mbështesin politika sociale dhe mjedisore me financim publik. Gjithashtu, koalicioni është përballur me rritjen e mbështetjes për forcat e ekstremit të djathtë si Alternativa për Gjermaninë (AfD), që ka arritur fitore të rëndësishme në disa rajone.
Pse po shpërbëhet tani qeveria?
Tensionet brenda koalicionit për politikën buxhetore dhe drejtimin ekonomik të Gjermanisë kulmuan këtë javë. Scholz akuzoi Lindner-in për bllokimin e planeve të tij ekonomike, ndërsa Lindner e akuzoi Scholz-in se kërkonte të ndalonte “frenimin e borxhit” – një kufizim kushtetues për huamarrjen. Sipas analistit Carsten Brzeski, kriza u përshkallëzua për shkak të “mosmarrëveshjeve të pafundme mbi ringjalljen e ekonomisë gjermane”.
Gjermania përballet me sfida ekonomike të thella
Ekonomia gjermane, më e madhja në Evropë, ka shënuar rënie vitin e fundit dhe po përballet me sfida strukturore përfshirë popullsinë në plakje dhe burokracinë e madhe. Lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike i kanë shtuar vështirësitë, ndërsa konkurenca nga Kina dhe problemet e industrisë së automobilave kanë ndikuar negativisht në eksportet kryesore të vendit.
Çfarë pritet të ndodhë?
Me kalimin në një qeveri të pakicës, Scholz do të përpiqet të sigurojë mbështetje nga CDU-ja e Friedrich Merz-it, duke kërkuar ndihmë për të miratuar legjislacionin deri në votëbesimin e janarit. Kriza politike dhe rënia e koalicionit “semafor” ka nxitur reagime të forta, sidomos nga partia e ekstremit të djathtë AfD, e cila e përshëndeti këtë zhvillim si një “çlirim” për Gjermaninë.