Në Ditën e Themelimit të Komunës së Hanit të Elezit, organizuam një seancë solemne për të shpallur “Qytetar Nderi” Gjeneralin Kudusi Lame. Data 22 shtator shënon themelimin e kësaj komune si njësi pilot në procesin e decentralizimit, megjithatë, Hani i Elezit si vendbanim ka origjinë që nga shekulli 16 me emrin Sharr. Me zhvillimin e tregtisë dhe krijimin e një vendbanimi të ri në shekullin 19, ai mori emrin Hani i Elezit. Sot, ne festuam 19 vjetorin e themelimit të Komunës së Hanit të Elezit, duke e njohur rëndësinë e të drejtave dhe përgjegjësive që kjo sjell. Në këtë datë të veçantë, nderuam për herë të parë me çmimin “Qytetar Nderi” Gjeneralin Kudusi Lame, si një shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm si udhëheqës dhe strateg në fushën e sigurisë, si dhe për miqësinë e tij të madhe me Kosovën, si luftëtar dhe gjeneral në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në fjalën e tij përshëndetëse, Gjenerali shprehu: “Është një privilegj i jashtëzakonshëm për mua të jem qytetar i kësaj komune. Ky vlerësim më sjell përgjegjësi pas këtij solemniteti, sepse kur bëhesh pjesë e një komuniteti, nuk je vetëm për të marrë vlerësime, por edhe për të marrë përgjegjësi. Prandaj, ndjej se nga sot, unë nuk jam vetëm qytetar i Komunës së Hanit të Elezit, por edhe ushtar i saj.”