Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se punimet në rrugën “Agim Ramadani” janë në fazat përfundimtare të rehabilitimit, por për shkak të reshjeve të vazhdueshme gjatë kësaj jave, janë detyruar të shtyjnë përkohësisht procesin e nivelizimit të pusetave dhe shtrimin e shtresës përfundimtare të asfaltit.
Në njoftim theksohet se me përmirësimin e kushteve të motit, punimet do të rifillojnë menjëherë, duke u kryer gjatë fundjavave dhe pas orës 19:00 në ditët e javës.
Komuna ka bërë të ditur gjithashtu se përfundimi i plotë i punimeve në këtë rrugë është paraparë të bëhet më 4 maj.
Autoritetet komunale kanë falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin gjatë kohës së punimeve.