Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar përmes një postimi në facebook për rastin që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar për projekt-ligjin për buxhetin e vitit 2023.
Sipas tyre Qeveria nuk duhet të ndërhyjë deri në këtë pikë pasi Komunat e Kosovës pavarësinë financiare e kanë të rregulluar përmes Ligjit për Buxhetin 2023.
”Qeveria e Kosovës gjatë hartimit të Ligjit për buxhetin e vitit 2023 ka ndërhyrë në pjesën tekstuale të ligjit dhe me këtë cenon pavarësinë financiare të Komunave. Më saktësisht tek neni 9 i Ligjit të Buxhetit 2023, paragrafi 6 është shtuar heshturazi pasuesi i fundit “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”. Me këtë po tentohet qe Komunave të ju merren të hyrat vetanake të pa shpenzuara. Në emër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Bordi kërkon që të hiqet ky pasues, sepse është në kundërshtim edhe me Ligjin e Financave të Pushteti lokal dhe Ligjin e Financave Publike. Komunat e Kosovës, pavarësinë financiare e kanë të rregulluar dhe kërkojmë që mos të ketë ndërhyrje nga niveli qendror”, thuhet në njoftimin e AKK-së.