Më 11-13 shtator 2024, Universiteti “St. Kliment Ohridski” në Bitola, Maqedonia e Veriut, ishte nikoqir i Konferencës së 9-të të Forumit të Rektorëve të Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor. Në këtë forum morën pjesë 52 përfaqësues të universiteteve nga 27 vende, duke krijuar një platformë të rëndësishme për dialog dhe bashkëpunim ndëruniversitar. Nga Universiteti “Haxhi Zeka” mori pjesë rektori, Prof. Dr. Armand Krasniqi, së bashku me bashkëpunëtorë të tij.
Pjesëmarrja në këtë forum dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të universitetit për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe zhvillimin e kapaciteteve të tij.
Konferenca trajtoi çështje të rëndësishme për zhvillimin e universiteteve dhe rolin e tyre në të ardhmen e arsimit të lartë në rajon. Një nga temat kryesore ishte zhvillimi i Aleancave të Universiteteve Europiane, një iniciativë për të rritur bashkëpunimin dhe krijimin e mundësive të reja për shkëmbim njohurish dhe burimesh. Diskutimet u fokusuan në mënyrën se si këto aleanca mund të përmirësojnë cilësinë e arsimit dhe të fuqizojnë inovacionin.
Në konferencë u diskutua edhe për integritetin akademik, vlerat universitare dhe promovimin e barazisë gjinore. Theksi u vu te rëndësia e etikës në kërkimin shkencor dhe nevoja për transparencë dhe përgjegjësi në universitetet moderne. Barazia gjinore u përmend si një çështje kyçe për ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse dhe të barabarta.
Universiteti “Haxhi Zeka”, Pejë