Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike më 9 nëntor, tha ushtria në Seul.
Lëshimi i kësaj rakete vjen pasi më herët gjatë këtij muaji Phenjani theu rekord sa i përket numrit të raketave të lëshuara.
Lëshimi i raketës balistike erdhi teksa në Shtetet e Bashkuara po numërohen votat për zgjedhjet e mesmandatit, përkatësisht për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Më herët, agjencia e spiunazhit në Seul kishte paralajmëruar se gjatë zgjedhjeve amerikane, lideri verikorean, Kim Jong Un, mund të kryejë test bërthamor.
Ushtria e Seulit tha se ka “detektuar lëshimin e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi nga Koreja e Veriut drejt Detit Lindor”. Raketa, sipas Koresë së Jugut u lëshua nga provinca Pionganit Jugor të Koresë së Veriut rreth orës 15:31.
“Duke forcuar vëzhgimin dhe vigjilencën, ushtria e Koresë së Jugut është e përgatitur plotësisht, teksa po bashkëpunon ngushtë me Shtetet e Bashkuara”, u tha në njoftimin e ushtrisë.
Japonia po ashtu ka konfirmuar lëshimin e raketës nga Veriu.
Më herët gjatë këtij muaji, Koreja e Veriut kreu një sërë testesh, përfshirë edhe lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale.
Phenjani ka lëshuar një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi, që ka kaluar kufirin de-fakto detar të Koresë së Jugut. Kjo ishte hera e parë që Koreja e Veriut lëshoi raketë në Jug që nga përfundimi i Luftës Koreane më 1953./REL/